Të enjten pasdite u zhvillua në Pekin Samiti i 16-të Kinë-BE. Të dyja palët publikuan hartën e rrugës së bashkëpunimit kino-europian deri në vitin 2020. Po ashtu gjatë samitit u shpall zyrtarisht nisja e bisedimeve mbi marrëveshjen e investimeve Kinë-BE. Në të njëjtën kohë, të dyja palët u shprehën se do të bëjnë studimin e fizibilitetit të Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-BE.
Samiti përkon me 10-vjetorin e krijimit të Partneritetit të Gjithanshëm Strategjik Kinë-BE. Ai është dialogu i parë midis liderëve kinezë dhe evropianë pas marrjes së detyrës nga ekipi i ri udhëheqës në Kinë. Prandaj, mendohet se rezultatet e arritura në këtë takim do të kenë rëndësi të madhe në forcimin e bashkëpunimit kino-europian. Kryeministri kinez Li Keqiang u shpreh para samitit:
"Gjatë këtij samiti palët do të publikojnë 'Planin e bashkëpunimit strategjik Kinë-BE 2020'. Ky plan do të përfshijë fusha shumë të gjera, si bashkëpunimi në fushën kozmike e në luftën kundër piraterisë detare, si edhe bashkëpunimi lidhru me urbanizimin e tipit të ri etj. Pastaj, të dyja palët do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për ta vënë në jetë këtë plan mbi bashkëpunimin e ardhshëm mes Kinës e BE-së, në mënyrë që ky plan të vihet në jetë, për t'u sjellë qytetarëve të të dy palëve përfitime konkrete."
Lidhur me planin për bashkëpunimin e ardhshëm Kinë-BE, presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso u shpreh:
"Ky është një moment shumë i rëndësishëm, sepse Bashkimi Europian dhe Kina ndodhen në një pikë kthese. Unë jam shumë i gëzuar që sot kemi arritur konsensus për këtë plan bashkëpunimi deri në vitin 2020."
BE-ja është për të nëntin vit me radhë partneri më i madh tregtar i Kinës, ndërsa Kina është për të dhjetin vit me radhë partnerja e dytë tregtare e BE-së. Deri tani, vëllimi ditor i tregtisë dypalëshe arrin në 1.5 miliard dollarë. Por, në krahasim me vëllimin e madh të tregtisë, niveli i bashkëpunimit dypalësh në fushën e investimeve është i ulët. Sipas statistikave, vetëm 2.1 për qind e investimeve të drejtpërdrejta të huaja të BE-së është në Kinë, kurse vetëm 3 për qind e investimeve kineze jashtë vendit është në BE. Vendimmarrësit kinezë dhe europianë duhet të shmangin pengesat në fushën e investimeve reciproke dypalëshe dhe të zgjerojnë më tej hapësirën e bashkëpunimit në fushën e investimeve. Nisja zyrtare e bisedimeve mbi marrëveshjen e investimeve midis Kinës dhe BE-së është natyrisht një rezultat i rëndësishëm i këtij samiti. Kjo është hera e parë që 28 vendet anëtare të BE-së nënshkruajnë një marrëveshje të tillë.
Krahas rezultateve pozitive, lidhur me divergjencat dhe konfliktet që janë të pashmangshme gjatë realitetit të zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-BE, kryeministri Li Keqiang theksoi se të dyja palët duhet të ngulin këmbë në respektimin e njëra-tjetrës, për të realizuar bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella:
"Ne duhet ta konsiderojmë gjithmonë njëri-tjetrin si partnerë të vërtetë strategjikë. Ne duhet të shkëmbejmë mendimet në mënyrë të hapur, të thellë e të gjerë dhe të forcojmë kontaktet nëpërmjet dialogut të barabartë për të shtuar mirëkuptimin e ndërjellë. Nuk ekziston asnjë problem midis të dy palëve që nuk mund të zgjidhet. Bashkimi i dy qytetërimeve dhe i dy tregjeve të mëdha do t'i ngrejë pandërprerë marrëdhëniet kino-europiane në një nivel të ri strategjik." (Du/Artani)