Me ftesë të kryeministrit Viktor Ponta, kryeministri i Kinës Li Keqiang do të qëndrojë në Rumani nga data 25 deri në 27 nëntor, për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe do të zhvillojë një vizitë zyrtare në këtë vend.
Zv-ministri i Jashtëm i Kinës Song Tao tha në një konferencë shtypi se kjo është hera e parë, gjatë 19 vjetëve, që një kryeministër kinez viziton Rumaninë. Gjatë vizitës së tij, Li Keqiang do të takojë liderët rumunë me të cilët pritet të shkëmbejë mendime rreth marrëdhënieve dypalëshe si dhe marrëdhënieve kino-evropiane. Gjithashtu, Li Keqiang do t'i drejtohet me një fjalim parlamentit rumun, ku do të paraqesë ide për thellimin real të bashkëpunimit dypalësh.
Song Tao tha se " shpresojmë që nëpërmjet kësaj vizite, të rritet në një nivel më të lartë miqësia tradicionale mes dy vendeve, të shtohet besimi reciprok, bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë, kulturës si dhe investimet, si dhe të forcohet më tej bashkëpunimi midis Kinës dhe shteteve evropiane qendrore dhe lindore.
Kina dhe Rumania kanë një miqësi tradicionale, ndaj dhe forcimi i bashëpunimit dypalësh është dëshirë e të dy popujve, që përputhet me interesat dypalëshe.(Fang Xiaoyu/Eda Merepeza)