Kryeministri kinez Li Keqiang do të vizitojë Rumaninë dhe Uzbekistanin në 25 dhe 29 nëntor, njoftoi zëdhënësi i ministrisë së jashtme. Gjatë qëndrimit në Rumani kreu i qeverisë kineze do të marrë pjesë në takimin "Kina dhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore" (CEE), si i ftuar i homologut rumun Victor-Viorel Ponta. Ndërsa gjatë vizitës zyrtare në Uzbekistan kryeministri Li, i ftuar nga homologu Shavkat Mirziyaev do të jetë i pranishëm në takimin e 12-të të kryeministrave të Organizatës së bashkëpunimit të Shangait (SCO) ku bën pjesë dhe Uzbekistani, tha zëdhënësi Qin.
Gjatë takimit në Bukuresht me homologët nga 16 vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, kryeministri Li do të paraqesë masat e ndërmarra nga Kina për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit me këto vende. Ndërkohë kreu kinez i ekzekutivit pritet të takohet me personalitetet e larta të shtetit rumun, me të cilët do të diskutojë rreth bashkëpunimit në të ardhmen.
Në takimin e kryeministrave të shteteve pjesmarrëse në SCO, kryeministri Li Keqiang do të parashtrojë propozimet e Kinës për thellimin e bashkëpunimit, në kuadër të kësaj organizate si dhe për promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Kreu i qeverisë Li pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë pjesmarrës në mbledhjen e Organizatës së bashkëpunimit të Shangait (SCO) .(Eda Merepeza)