Kreu i qeverisë izraelite Benjamin Netanyahu kundërshtoi raportin e Agjencisë për Energjinë Atomike (IAEA), sipas të cilit, Irani ka ulur ndjeshëm përpjekjet për forcimin e fuqisë bërthamore.
Në Konventën për të rinjtë amerikano-izraelitë në Jeruzalem, Netanyahu tha se "nuk befasohej" aspak nga raporti, sipas të cilit gjatë 3 muajve të fundit, niveli i pasurimit të uraniumit në impiantin bërthamor të Natenzit ka rënë ndjeshëm, gjatë udhëheqjes së Rouhanit.
Në raport thuhet se niveli i uraniumit të pasuruar është rritur 5% nga muaji gusht, dhe aktualisht shënon shifrën 196 kg, ndërkohë që 250 kg janë të mjaftueshëm për krijimin e bombës bërthamore.
Lidhur me këtë kryeministri izraelit ka theksuar se "Irani nuk e zgjeron programin bërthamor, pasi tashmë ka infrastrukturën e nevojshme për krijimin e armëve bërthamore". Deklarata e Netanyahut i referohet qëndrimit amerikan, përfshirë sekretarin e shtetit Kerry, i cili sipas medieve, u ka kërkuar senatorëve të mos vendosin sanksione ndaj Iranit, në këmbim të shanseve për dialog me të.
Pas 30 vjetësh SHBA-ja po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Iranin , ndërkohë që kryeministri izraelit kërkon mos heqjen e sanksioneve, pasi sipas tij Izraeli dhe mbarë bota kërcënohen prej Iranit.(Eda Merepeza)