Shqipëria në bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara në vend dhe mbështetjen e Zyrës së Kooperacionit Zviceran, ka prezantuar programin e ri të përfshirjes sociale.
Programi i ri "Mbështetja e OKB-së për përfshirjen sociale" synon përmirësimin e kuadrit politik-bërës të përfshirjes sociale dhe qeverisjes në të gjitha nivelet, duke plotësuar reformën aktuale të kujdesit social të integruar.
Sipas ministrit të Mirëqenies sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ky dikaster do të luajë një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës, lidhur me axhendën e përfshirjes sociale.
Ndërsa ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Alexander Wittwer, pasi vlerësoi arritjet e deritanishme në sektorin ekonomik dhe shoqëror, theksoi se ka shtresa të popullsisë që nuk përfitojnë nga zhvillimi i viteve të fundit. Përfaqësuesja e PNUD-it në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun nënvizoi se programi i ri është pjesë e programit të bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe OKB-së për periudhën 2012-2016.
Programi i ri i përfshirjes sociale në Shqipëri do të zgjasë 4 vjet.
(Eda Merepeza)