Opozita siriane e mbështetur nga Perëndimi është e përçarë për pjesëmarrjen në bisedimet e Gjenevës, për shkak të rolit të presidentit të vendit Bashar al-Assad në procesin e kalimit të pushtetit.
Koalicioni Kombëtar Sirian (KKS) deklaroi se nuk do të marrë pjesë në bisedime, nëse nuk përcaktohet një afat i saktë se kur Assad do të largohet nga pushteti.
Ndërkohë edhe grupet e ndryshme rebele në terren, përfshirë Frontin Nusra të lidhur me Al-Kaedën, kanë deklaruar se nuk janë të interesuar në bisedimet e paqes dhe se nuk do të njohin koalicionin e ri qeveritar.
Qeveria siriane ndërkaq është shprehur se në Gjenevë do të zhvillohet një proces politik dhe nuk do të bëhet dorëzimi i pushtetit. Damasku e sheh takimin si një mundësi për gjetjen e një zgjidhjeje politike të krizës.
Gjithsesi, data për mbajtjen e konferencës së dytë të Gjenevës për Sirinë nuk është përcaktuar ende. (Ardi Pulaj)