Delegatët nga Kombet e Bashkuara, Rusia dhe SHBA-ja mbërritën të martën në Gjenevë për një takim trepalësh, për të diskutuar mbi bisedimet e vonuara të paqes mbi Sirinë.
Ndër pjesëmarrësit ishin të pranishëm i dërguari i përbashkët i OKB-së e Lidhjes Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, nënsekretari i OKB-së për Çështjet Politike Jeffrey Feltman, zv.ministri i Jashtëm rus Mikhail Bogdanov dhe zv.sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike Wendy Sherman.
Takimi erdhi pas turit të Brahimit në Lindjen e Mesme ku kërkoi mbështetje për konferencën ndërkombëtare mbi Sirinë.
Ndërkohë, ende nuk ka të dhëna përfundimtare lidhur me "Gjeneva II", që ka si qëllim uljen e qeverisë siriane dhe grupeve opozitare në tryezën e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes politike për konfliktin mbi 30-mujor.
Gjatë vizitës së Brahimit, qeveria siriane ra dakord të marrë pjesë në konferencë, ndërkohë që nuk u arrit një konsensus mes grupeve opozitare për pjesëmarrjen.
Brahimi tha se konferenca nuk mund të mbahet pa pjesëmarrjen e opozitës siriane. (Albana)


















