Zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë, Nicola Gaon, deklaroi të hënën se fletët e votimit në tre qendra votimi në veri të Mitrovicës, nuk mundën të ruheshin, ndaj dhe numërimi i tyre është i pavlefshëm.
Sipas tij zgjedhjet komunale të së dielës në Kosovë shënuan mjaft incidente dhe parregullsi.
Incidenti më i rëndë u shënua në qytetin e Mitrovicës, ku një grup njerëzish të maskuar sulmuan qendrën e votimit në shkollën fillore "Sveti Sava", ku thyen kutitë e votimit dhe ngacmuan stafin zgjedhor.
Të hënën në mëngjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KEK) publikoi rezultatet paraprake, pa dhënë asnjë rezultat rreth votimit në katër komunat në veri të Kosovës, të kërkuar nga zyrtarët serbë.
Pas numërimit të 90% të votave në të 39 komunat e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njoftoi se janë zgjedhur 10 kryetarët e komunave më të mëdha në vend, ndërsa në 24 komuna të tjera do të zhvillohet një raund i dytë votimi. Nuk ka ende rezultate për 4 komunat në veri të vendit.
Lideri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi të hënën për mediat se zgjedhjet ishin të ndershme dhe se në 3 komuna serbe në veri u zgjodhën përfaqësuesit e ligjshëm. (Eda Merepeza)