Kryeministri Li Keqiang deklaroi të martën se Kina do të zhvillojë reformat afatgjata, të nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke nënvizuar se në të ardhmen këto reforma do të përfshijnë shumë fusha.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesve të biznesit para çeljes së samitit vjetor "New Champions 2013", i njohur ndryshe si "Forumi Veror i Davosit ", kreu i qeverisë kineze tha se çelësi i reformave ekonomike qëndron në "balancimin e rolit të qeverisë, tregut dhe shoqërisë".
Qeveria duhet të lejojë që tregu i lirë të gjallërohet, theksoi Li, duke shtuar se arritjet aktuale mbështeten në reformat e ndërmarra para 30 vjetësh.
Kryeministri nenvizoi se administrata shtetërore është reformuar këtë vit, duke ndikuar në uljen e nivelit të korrupsionit. Do të krijohen të gjitha kushtet për një konkurencë të lirë dhe të ndershme të tregut, tha LI , ndërsa garantoi mbrojtjen e pronësisë intelektuale.
Kina do të diversifikojë tregun e saj të kapitalit, duke zgjeruar mundësitë e financimit dhe duke lejuar financimin e drejtpërdrejtë, tha kreu i ekzekutivit. Li tha se Kina do të promovojë këmbyeshmërinë e yuan-it sipas kapitalit, duke i dhënë biznesit më shumë mundësi operimi me monedhën vendase. Për të rritur shtrirjen e përdorimit global të yuan-it, tha kryeministri, qeveria ka nxitur përdorimin e tij në tregtinë ndërkufitare si dhe në investimet në tregje si Hong Kongu dhe Londra.
Zhvillimi i vendit ka sjellë dhe rritjen e nivelit të ndotjes, tha kryeministri, ndërsa garantoi se qeveria do të eliminojë kapacitetet prodhuese të vjetëruara dhe do të shtojë masat për mbrojtjen e mjedisit.
Ai siguroi përfaqësuesit e biznesit se Kina është e gatshme për bashkëpunim në fushën e teknologjisë dhe u bëri thirrje kompanive të huaja për investime.
Forumi Veror i Davosit zhvillohet nga data 11-13 shtator në qytetin port Dalian, në verilindje të Kinës.(Eda Merepeza)