Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij turkmen Gurbanguly Berdymukhamedov diskutuan për rritjen e nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve në partneritet strategjik.
Xi tha se gjatë viteve të fundit Kina dhe Turkmenistani kanë patur bashkëpunim të suksesshëm në ekonomi, tregti, fushën energjitike dhe kulturore, duke përmendur faktin se Kina tashmë është një nga partneret kryesore tregtare të Turkmenistanit.
Presidenti kinez veçanërisht e vuri theksin te rëndësia e gazsjellësit Kinë-Azi Qendrore për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën energjitike.
Berdymukhamedov tha se Turkmenistani do të rrisë furnizimin me gaz të Kinës dhe do të përshpejtojë ndërtimin e gazsjellësve. Ndërkohë që shpreson që dy vendet të zgjerojnë bashkëpunimin mes të tjerash në tregti, bujqësi e infrastrukturë.
Xi Jinping dhe Berdymukhamedov pas takimit të martën në Ashkhabad morën pjesë edhe në ceremonitë e nënshkrimit të disa marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh.
Turkmenistani ishte ndalesa e parë e turneut në Azinë Qendrore të presidentit kinez Xi Jinping. Ai do të vizitojë gjithashtu Kazakistanin, Uzbekistanin dhe Kirgistanin. Kreu i shtetit i Kinës do të marrë pjesë gjithashtu në samitin e G20-s në Shën Petërburg dhe takimin e 13-të e Këshillit të Kryetarëve të Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. (Ardi Pulaj)