Mostrat e mbledhura nga inspektorët e OKB-së në vendin ku pretendohet se më 21 gusht ndodhi një sulm me armë kimike në Siri, janë nisur nga Haga e Holandës të hënën për në laboratorët e përcaktuar, bëri të ditur zëdhënësi i OKB-së Martin Nesirki. "Laboratorët janë të përgatitur për të filluar analizat menjëherë pas marrjes së mostrave," shtoi ai.
Misioni faktmbledhës i OKB-së u krijua në mars nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun me kërkesën e qeverisë siriane. Inspektorët u larguan nga Siria të shtunën për t'u kthyer në Hagë.
Sipas Nesirkit, kreu i OKB-së Ban Ki Mun do të vazhdojë të jetë në kontakt të ngushtë me pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe do të informojë të martën edhe 10 vendet anëtare jo të përhershme të këtij Këshilli lidhur me zhvillimet e fundit. (Artani)