Presidenti amerikan Barack Obama tha se ai ende nuk ka marrë një vendim për mënyrën e përgjigjes ndaj Sirisë pas përdorimit të armëve kimike në konfliktin e saj të brendshëm.
"Nuk kam marrë ende një vendim," tha presidenti gjatë një interviste me "PBS News Hour" në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se ai është duke shqyrtuar disa alternativa, pas sulmit të fundit në Damask më 21 gusht që besohet se vrau 1300 njerëz.
Nga ana tjetër Obama theksoi se duhen mbajtur në fuqi normat ndërkombëtare që sanksionojnë ndalimin e përdorimit të armëve kimike.
"Ne kemi arritur në përfundimin se qeveria e Sirisë i përdori këto armë, ndaj duhet të ketë përgjegjësi ndërkombëtare për këtë," shtoi Obama. (Leftion Peristeri)


















