Kryediplomati kinez Wang Yi tha se Pekini po ndjek me vëmendje hetimet për përdorimin ose jo të armëve kimike në Siri dhe nëse rezulton se ato janë përdorur, Kina e dënon ashpër një gjë të tillë.
"Pavarësisht se cila palë përdor armë kimike, ne e kundërshtojmë këtë me vendosmëri. Kina mbështet strukturat e OKB-së të zhvillojnë hetime të pavarura, të drejta, objektive e profesionale në bazë të rezolutave përkatëse për të zbuluar sa më parë të vërtetën", tha ministri i jashtëm Wang Yi gjatë një interviste për agjencinë kineze të lajmeve "Xinhua".
Shefi i diplomacisë kineze gjithashtu theksoi se mjetet politike janë e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit të Sirisë, ndaj bëri thirrje që të zhvillohet sa më shpejt takimi i dytë ndërkombëtar në Gjenevë.
"Palët duhet ta trajtojnë me maturi çështjen e përdorimit të armëve kimike, duke mos ndikuar te zgjidhja politike e krizës në Siri", tha ministri Wang. (Çan Jean)