Presidenti amerikan Barak Obama mblodhi Komisionin Kombëtar të Sigurisë për të analizuar informacionet e fundit lidhur me përdorimin e armëve kimike në Siri, duke shqyrtuar dhe mundësinë e ndërhyrjes ushtarake.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se në mbledhje u diskutuan pretendimet për përdorimin e armëve kimike nga forca ushtarake qeveritare siriane në periferi të Damaskut.
"Në bazë të dëshmive të dhjetëra dëshmitarëve dhe përshkrimeve të viktimave, agjencitë e informacionit po bashkërendojnë punën me komunitetin ndërkombëtar, duke grumbulluar të dhëna për të zbuluar të vërtetën", thotë deklarata.
Obama ka thënë se nëse qeveria siriane përdor armë kimike, ajo do të kalojë "vijën e kuqe", çka do të thotë mundësi për të ndërhyrë ushtarakisht. Ndërkohë, sipas njoftimeve të mediave amerikane, ushtria ka filluar të përditësojë objektivat e sulmeve ajrore në Siri, duke u përgatitur për një ndërhyrje të mundshme.
Ndërsa, një zyrtar i Pengatonit tha se marina ka dërguar një anije ushtarake patrulluese me raketë në lindje të Mesdheut për t'iu bashkuara tre anijeve të tjera amerikane të dislokuara atje. (Çan Jean/Leftion Peristeri)


















