Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) do të takohen të mërkurën në Bruksel për të vendosur për një përgjigje të mundshme ndaj dhunës në Egjipt, duke përfshirë shqyrtimin e lidhjeve BE-Egjipt.
Sipas një deklarate të BE-së, Këshilli i Ministrave të Jashtëm pritet të përsërisë thirrjet për t'i dhënë fund dhunës dhe mbështetjen e plotë për një dialog dhe një proces gjithëpërfshirës politik, si edhe për të ardhmen demokratike të Egjiptit, që çon në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe krijimin e një qeverie civile.
Në javët e fundit BE-ja ka rritur më tej përpjekjet për të nxitur dialogun dhe një zgjidhje paqësore të krizës egjiptiane përmes angazhimit të vet të vazhdueshëm me të gjitha palët, duke përfshirë edhe vizitat e fundit nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën të Jashtme dhe të Sigurimit të BE-së Catherine Ashton.
Kryetari i Këshillit Europian Herman Van Rompuy dhe kryetari i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso përsëritën në një deklaratë të dielën se "BE-ja do të mbetet e angazhuar në mënyrë të vendosur në përpjekjet për të nxitur dhënien fund dhunës, rifillimin e dialogut politik dhe rikthimin në një proces demokratik ".
BE-ja e sheh Egjiptin si një fqinj dhe partner kryesor në një rajon me rëndësi strategjike. Bashkëpunimi fokusohet në reformat demokratike, modernizimin ekonomik, reformat sociale dhe çështjet e migracionit. Tregtia është një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtyre marrëdhënieve. (Artani)