Forcat egjiptiane të sigurisë boshatisën një xhami në qendër të Kajros, ku qëndronin mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi, teksa qeveria po shqyrton mundësitë për të shpallur të paligjshme "Vëllazërinë Myslimane".
Pamjet televizive treguan forcat e sigurisë që garantonin daljen e protestuesve nga xhamia "Fatah", shumica e të cilëve ishin gra. Kjo xhami ishte kthyer në vendstrehim për demonstruesit që më parë u përleshën me policinë.
Në Aleksandri dhe Beheira, dhjetra persona u plagosën pas përplasjeve mes banorëve dhe anëtarëve të "Vëllazërisë Myslimane". Ndërsa në Kajron lindore forcat e sigurisë kanë rrethuar disa anëtarë të grupimit.
Në një deklaratë të përbashkët, 66 organizata të të drejtave të njeriut fajësuan "Vëllazërinë Myslimane" për dhunën dhe kaosin e shkaktuar, duke shtuar se ky grupim po përgatiste një kryengritje të armatosur. (Ardi Pulaj)