Presidenti amerikan Barak Obama "dënoi me forcë" të enjten hapat e ndërmarrë nga qeveria e përkohshme egjiptiane dhe forcat e sigurisë, dhe njoftoi anulimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, në reagimin e tij të parë ndaj shtypjes me dhunë të protestave në Egjipt.
"Bashkëpunimi ynë tradicional nuk mund të vazhdojë si zakonisht kur civilët po vriten," tha Obama në një mesazh audio të transmetuar kombit nga Martha Vineyard në Massachusetts, ku ai ndodhet me pushime me familjen e tij.
"Amerika dëshiron të jetë një partner i popullit egjiptian për një të ardhme më të mirë," tha Obama, duke përsëritur se Uashingtoni nuk po mban anën e ndonjë partie apo individi në Egjipt.
Ndërkohë në një reagim pas fjalës së Barak Obamës, presidenca egjiptiane i quajti pretendimet e Uashingtonit "të pabaza" dhe që mund të përkrahin shkallëzimin e dhunës.
Egjipti po përballet me akte "terroriste" që synojnë institucionet qeveritare, objektet e infrastrukturës publike, kishat, gjykatat dhe stacionet e policisë, thotë deklarata.
Qeveria nga ana tjetër tha se po punon për vendosjen e stabilitetit dhe sigurisë, si edhe po punon "për mbrojtjen e kombit dhe qytetarëve." (Leftion Peristeri)