Këshilli i Sigurimit i OKB-së u bën thirrje të gjitha palëve në Egjipt që "të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale" dhe t'i japin fund dhunës në vend, u shpreh për shtypin përfaqësuesja e përhershme e Argjentinës në Kombet e Bashkuara Maria Kristina Perceval, që mban kryesimin e radhës të KS-së në gusht. Znj. Perceval e bëri këtë deklaratë në fund të një takimi me dyer të mbyllura të KS-së për situatën në Egjipt, pas vrasjes së 500 vetave në përleshjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve që kërkojnë rikthimin e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.
"Anëtarët e Këshillit mendojnë se është e rëndësishme t'i jepet fund dhunës në Egjipt dhe që palët të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale," tha Perceval.
Takimi me dyer të mbyllura i KS-së u mbajt me kërkesën e përbashkët të Francës, Britanisë së Madhe dhe Australisë. (Artani)