Në Kinë ka bërë bujë rasti i një mjeke e spitalit obstetrik gjinekologjik të distriktit Fuping të provincës Shaanxi merrej me shitjen e bebeve të sapolindura. Policia e arrestoi mjeken dhe ndërkohë parandaloi trafikimin e disa të porsalindurve duke ua kthyer prindërve të vërtetë. Incidenti ka shkaktuar reagime shumë negative mbi figurën e mjekëve.
Lidhur me këtë problem, Deng Liqiang, drejtor i Zyrës së Çështjeve Ligjore të Shoqatës së Mjekëve të Kinës bëri të ditur kohët e fundit se për të garantuar pastërtinë dhe dinjitetin e mjekëve, shoqata po planifikon të zhvillojë një vlerësim moral për punën e mjekëve, duke krijuar një listë të zezë për ata pa integritet.
"Për vlerësimet morale, do të marrim në konsideratë nëse mjeku ka pranuar ose jo ryshfet nga të sëmurët dhe veprime të tjera që konsiderohen në kundërshtim me moralin profesional të mjekut. Po të shkelësh ligjin, duhet të dënohesh. Ne do të publikojmë emrat mjekëve që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Mjeku është një profesion që varet shumë nga integriteti, publikimi i emrave të tyre është edhe një dënim shumë serioz për ta," sqaroi Deng.
"Besoj se përhapja e këtij sistemi mund të nxisë përmirësimin e punës së mjekëve. Por, dalja e emrit në listë nuk do të thotë se mjekut i hiqet e drejta e profesionit. Nëse kalon vlerësimet herën tjetër, mjeku mund të vijojë normalisht punën", shtoi Deng.
Por disa njerëz mendojnë se krijimi i një liste të tillë mund të shkelë privatësinë individuale. Për këtë, profesori i Universitetit të Shkencave Politike dhe Ligjit, Hong Daode thekson se lista e zezë nuk është një shkelje e privatësisë.
"Nëse veprimet e mjekëve janë në kundërshtim me ligjin, nuk ka problem që të publikohen informacionet në këtë drejtim. Privatësia nuk përfshin veprimet që janë kundër ligjit dhe disiplinës profesionale. Thëniet se publikimi i emrave të mjekëve pa integritet është 'shkelje e privatësinë' janë pa bazë, madje dhe nga ana morale", thotë profesori Hong.
Kurse lidhur me zbatimin e sistemit të vlerësimit të mjekëve, Deng Liqiang, theksoi njëkohësisht se vlerësimet e pacientëve do të përbëjnë një pjesë të rëndësishme, por tani mënyrat konkrete janë në diskutim e sipër.
"Ryshfeti do të bëhet pa dyshim një kriter i pamungueshëm për të vlerësuar moralin profesional," thotë Deng.