Shefja e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton kërkoi të mërkurën lirimin e menjëhershëm të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi, nëse nuk ka akuza ndaj tij, raportoi agjencia zyrtare MENA.
Pasi takoi zyrtarët më të lartë të Egjiptit, Ashton e tha qartë se u kishte kërkuar atyre lirimin e zotit Morsi dhe politikanëve të tjerë të arrestuar.
Ajo shtoi se Morsi është i sigurtë dhe trajtohet mirë, duke nënvizuar se Bashkimi Europian kërkon një kalim të lehtë të Egjiptit drejt demokracisë.
Ashton takoi gjithashtu edhe disa prej mbështetësve të Morsit, përfshirë ish-kryeministrin Hesham Qandil.
Zoti Qandil nuk bëri asnjë koment rreth takimit, por tha se Bashkimi Europian nuk kishte propozuar ndonjë marrëveshje. (Leftion Peristeri)