Shoqata e Industrisë së Automjeteve në Kinë së fundi publikoi të dhënat mbi prodhimin e shitjen e makinave gjatë gjashtmujorit të parë të këtij viti, ku tregohet se numri i automjeteve të prodhuara dhe i atyre të shitura kaloi shifrën 10 milionë, por eksportet e makinave shënuan ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përveç kësaj, kjo shoqatë kundërshtoi politikën e kufizimit të blerjes së makinave për lehtësimin e trafikut në qytet dhe parandalimin e ndotjes së mjedisit.
Sipas të dhënave të publikuara, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, u prodhuan 10 milionë e 751 mijë makina dhe u shitën 10 milion e 782 mijë, duke u rritur 12.8% dhe 12.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por gjatë kësaj periudhe, u eksportuan 486 mijë makina kineze, duke shënuar një ulje me 0.6% në krahasim me gjashtmujorin e parë të 2012-ës.
Drejtori i zyrës së shtypit të Shoqatës së Industrisë së Automjeteve të Kinës, Chen Shihua thotë se Iraku, Venezuela, Irani, Vietnami dhe Turqia janë pesë vendet, ku u ul më shumë numri i eksporteve nga Kina. Rënia e fuqisë blerëse në këto vende ndikoi te eksportet e makinave kineze. Përveç kësaj, forcimi i monedhës kineze, juanit, pati ndikime negative te eksportet e makinave kineze.
Në gjashtmujorin e parë të këtij viti, industria e automjeteve kineze shënoi progres në tregun e brendshëm, por pësoi një ulje në tregjet ndërkombëtare, për shkak të situatës ekonomike globale dhe forcimit të juanit kinez.
Shoqata e Industrisë së Automjeteve në Kinë theksoi kundërshtimin e saj për politikën e kufizimit të blerjes së makinave, një masë që synon lehtësimin e trafikut dhe parandalimin e ndotjes së mjedisit.
Zv-sekretari i kësaj shoqate Shi Jianhua thotë se politika e kufizimit nuk përputhet me objektivin e përgjithshëm të zgjerimit të konsumit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, ndaj kjo politikë do të ndikojë seriozisht në zhvillimin e markave të makinave kineze.
Ai thotë se në Pekin, pas zbatimit të kësaj politike, blerësit pëlqejnë të blejnë makina të mëdha që harxhojnë më shumë naftë, makina të shtrenjta e të importuara. Pas zbatimit të kësaj politike në Pekin, Shangai dhe Guangzhou, pothuajse u përgjysmua përqindja e markave kombëtare në tregun e makinave.
Shi shton se në të ardhmen, politika e kufizimit të blerjes së makinave mund të zgjerohet edhe në 8 qytete të tjera të Kinës. Kjo gjë do të ketë ndikim negativ në industrinë e makinave (Qiche gongye). Duke kundërshtuar përhapjen më të gjerë të kësaj politike, kjo shoqatë dha edhe sugjerimet e saj për të përmirësuar trafikun dhe promovimin e kursimit të energjisë: kufizimi i trafikut në mënyrë shkencore; riplanifikimi i qytetit; nxitja e heqjes nga qarkullimi të makinave të vjetra dhe shpejtimi i reformës tatimore.