Të martën pasdite kryeministri i Kinës Li Keqiang zhvilloi takime të veçanta me homologun e tij rumun Viktor Ponta dhe atë maqedonas Nikola Gruevski, të cilët ndodhen në Kinë për të marrë pjesë në "Takimin e Liderëve Rajonalë Kinë-Europë Qendrore e Lindore 2013".
Gjatë takimit me kryeministrin rumun Viktor Ponta, z. Li tha se Kina dhe Rumania kanë një miqësi të thellë tradicionale dhe ato e respektojnë, e kuptojnë dhe e përkrahin gjithmonë njëra-tjetrën. Kryeministri kinez kërkoi që të dyja palët të forcojnë në mënyrë të pandërprerë besimin e ndërsjellë politik, duke u ofruar më shumë përfitime nga bashkëpunimi mes tyre popujve të të dy vendeve.
Ndërkaq, gjatë takimit me kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski, shefi i qeverisë kineze tha se Pekini u kushton vëmendje të madhe marrëdhënieve me Shkupin dhe përkrah përpjekjet e Maqedonisë në procesin e anëtarësimit në BE. Kina dëshiron të nxitë bashkëpunimin ndërmjet të dy palëve në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, të bujqësisë etj.
Kryeministri kinez Li Keqiang vuri në dukje gjithashtu në këto takime se bashkëpunimi Kinë-Europë Qendrore e Lindore është pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve të gjithanshme kino-europiane dhe përputhet me nevojat dhe interesat e përbashkëta të të dy palëve. Kina dëshiron të ndajë së bashku me vendet e Europës Qendrore e Lindore mundësitë e zhvillimit, veçanërisht nëpërmjet realizimit të projekteve të mëdha. (Xu Guang/Artani)