Udhëheqësit e partive të koalicionit qeveritar në Greqi ndryshuan përbërjen e qeverisë, u njoftua pas takimit mes kryeministrit Antonis Samaras dhe kreut të PASOK-ut, Evangelos Venizelos.
Ky i fundit hyn në qeveri si zv/kryeministër e ministër i jashtëm, ndërsa Yannis Stournaras do të mbajë postin e ministrit të financave.
Riformatimi erdhi pasi "E Majta Demokratike" u largua nga qeveria të premten pas mosmarrëveshjeve për mbylljen e transmetuesit publik ERT.
Me kabinetin e ri prej 43 anëtarësh, i cili pritet të betohet të martën, Samaras dhe Venizelos shpresojnë të çojnë përpara implementimin e reformave të duhura për të tejkaluar krizën e borxheve e për të rikthyer rritjen ekonomike të Greqisë brenda 2014-ës. (Ardi Pulaj)