Koalicioni në pushtet në Shqipëri, i udhëhequr nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha, dhe opozita e majtë e drejtuar nga udhëheqësi i Partisë Socialiste Edi Rama, deklaruan se kanë fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Rama u tha mbështetësve të tij se rezultatet tregojnë për një fitore të ndjeshme të opozitës ndaj koalicionit të kryeministrit Berisha, i cili po kërkon një mandat të tretë. Demokratët i hodhën poshtë pretendimet e opozitës, duke thënë se të dhënat e tyre tregojnë se janë ata fitues.
Zgjedhjet e tensionuara të së dielës shkaktuan një të vdekur dhe dy të plagosur në qytetin e Laçit, por nuk u njoftua për parregullsi të mëdha.
Votimi i së dielës shihet si vendimtar për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Rreth 600 vëzhgues ndërkombëtarë mbikëqyrën zgjedhjet në gjithë vendin dhe ata do të publikojnë një vlerësim paraprak të hënën.
Mbi 3.2 milionë votues ishin të regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, nga do të dalin 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Rezultatet e para zyrtare pritet të dalin të hënën. (Artani)