Lidhur me arsyen përse Pekini ka zgjedhur këto fusha si pika me përparësi bashkëpunimi, ish-ambasadori i Kinës në Trinidad dhe Tobago Yang Youming vuri në dukje se kjo përcaktohet nga kushtet e zhvillimit të secilit prej këtyre vendeve: "Së pari, vendet e Karaibeve ndodhen në një fazë të rëndësishme zhvillimi dhe kanë nevojë për shumë projekte infrastrukturore, dhe Kina mund të ofrojë kapitale, teknologji dhe personel. Kina është një vend i madh bujqësor me teknologji të zhvilluar në këtë sektor, kurse teknologjia bujqësore e vendeve të Karaibeve është relativisht e prapambetur. Ato dëshirojnë të forcojnë bashkëpunimin me palën kineze për të ngritur nivelin e zhvillimit në fushën bujqësore."
Z. Yang vuri në dukje gjithashtu se takimi i kryetarit Xi me liderët e vendeve të Karabeve që nuk janë destinacione të vizitës së tij të kësaj here, pasqyron edhe politikën e jashtme të Kinës. "Kina zhvillon diplomaci të gjithanshme, një ndër parimet e së cilës është zhvillimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit miqësor në bazë të leverdisë së ndërsjellë me vende të ndryshme të botës, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Para kthimit në atdhe, kryetari Xi do të zhvillojë bisedime edhe me homologun e vet amerikan Barak Obama. Ky fakt e tregon plotësisht edhe këtë parim", theksoi ish-ambasadori Yang.
(Çan Jean/Artani)