Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) është formuar në vitin 2001, me synim ruajtjen e përbashkët të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Prandaj misioni kryesor i kësaj organizate është bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Zhang Xinfeng është drejtori ekzekutiv i Strukturës Antiterroriste Rajonale të OBSh-së. Ai mendon që në OBSh është formuar një sistem i plotë ligjor kundër terrorizmit.
"Kemi hartuar një sërë dokumentesh, si 'Planin e OBSh-së për goditjen e terrorizmit, separatizmit dhe ekstremizmit', 'Konventën e OBSH-së kundër terrorizmit' dhe 'Marrëveshjen e programit të veprimeve të përbashkëta të OBSh-së kundër terrorizmit', duke u krijuar një bazë të fortë ligjore vendeve anëtare të OBSh-së në goditjen e terrorizmit, separatizmit dhe ekstremizmit," thotë Zhang Xinfeng.
Goditja kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit rajonal e botëror nuk është detyra e vetëm një vendi ose organizate. Zhang Xinfeng bëri të ditur që qysh nga fillimi, sektorët antiterroristë të OBSh-së i kanë kushtuar rëndësi të madhe bashkëpunimit me organizatat përkatëse.
Duke folur për gjendjen e sigurisë në rajon, z. Zhang është i mendimit se në përgjithësi gjendja është nën kontroll, por ende është e ndërlikuar:
"Veçanërisht tani në kohën e internetit, ende ekzistojnë rreziqe potenciale, megjithëse gjendja nga pamja e jashtme duket e qetë. P. sh, me zhvillimin e teknologjisë së internetit, terrorizmi në internet po bëhet një kërcënim i ri në fushën e sigurisë jokonvencionale. Krahas kësaj, trafiku i drogës nga Afganistani, që më parë ka qenë problem vetëm për disa vende, është bërë tani kërcënim i përbashkët për vendet anëtare të OBSh-së. Tani droga është bërë burimi kryesor që financon terrorizmin, separatizmin dhe ekstremizmin".
Drejtori ekzekutiv i Strukturës Antiterroriste Rajonale të OBSh-së Zhang Xinfeng bëri të ditur gjithashtu që sivjet po planifikohet të formohet një grup i posaçëm për sigurinë kibernetike, i cili do të fokusohet posaçërisht në goditjen efikase kundër veprimeve terroriste në internet. (Jiang Lei/Artani)