Koalicioni i Vëzhguesve Vendore shpreh shqetësim për situatën në KQZ dhe u rekomandon partive politike që të arrijnë një konsensus për zgjidhjen e ngërçit në institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve. Në raportin e dytë parazgjedhor, të publikuar sot nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendore theksohet domosdoshmëria që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të funksionojë me shtatë anëtarë, pasi veprimtaria aktuale e këtij institucioni, sipas KVV-së, është e paplotë.
Raporti i publikuar sot përfshin periudhën nga 15 marsi deri në 23 maj, ndërsa fushata elektorale do të shoqërohet nga një tjetër raport, që pritet të publikohet pak ditë para datës së zgjedhjeve.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendore konstaton se fushata elektorale ka nisur përpara kohe, duke shkelur afatet ligjore. Për këtë arsye KVV i rekomandon KQZ-së që të marrë masa për të gjitha subjektet politike që nuk kanë respektuar kuadri ligjor. Sipas KVV-së, fushata elektorale ka nisur me një klimë të lartë polarizimi midis dy aleancave kryesore.
Rekomandimet
"KQZ të jetë i vëmendshëm në mbikëqyrjen e fushatës zgjedhore, në veçanti në përdorimin e administratës shtetërore. KQZ të marrë masa për subjektet që nisën fushatën para kohe. Të marrë vendim për ecurinë e mëtejshme për përdorimin e teknologjive të sistemit elektronik të votimit dhe verifikimit të kartave. Të zhvillojë trajnimet e komisionerëve. Partitë politike të bien dakord për të zgjidhur ngërçin në KQZ, në mënyrë që ajo të funksionojë e plotë".
(nga http://www.balkanweb.com)