Kina dhe Gjermania ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, teksa shefi i qeverisë së Pekinit Li Keqiang ndodhet për një vizitë në Berlin. Në një deklaratë për shtyp, theksohet se dy vendet mendojnë se procesi i industrializimit, informatizimit dhe urbanizimit në Kinë do të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e marrëdhënieve me Gjermaninë e BE-në, e do t'i japë një shtysë ekonomisë botërore.
Kina gjithashtu njoftoi se do të hapë një Dhomë Tregtie në Gjermani, ndërsa kjo e fundit tha se mirëpret kompanitë kineze që të investojnë e të hapin vende të reja punës. Palët u shprehën kundër proteksionizmit, duke premtuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi panelet solare dhe pajisjet për celularët, nëpërmjet dialogut. Si Kina dhe Gjermania, si pjesë e BE-së, mendojnë se janë aktorë strategjikë e partnerë bashkëpunues në promovimin e paqes botërore dhe garantimin e stabilitetit global. (Ardi Pulaj)