Paqja botërore dhe rendi ndërkombëtar të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore duhet të mbrohen vendosmërisht, tha kryeministri kinez Li Keqiang të dielën pasi vizitoi Pallatin Cecilienhof në Postdam të Gjermanisë.
"Ne duhet të garantojmë vazhdimisht paqen botërore dhe rendin ndërkombëtar të pasluftës, të cilat u arritën me çmimin e jetës të dhjetëra miliona njerëzve," tha Li.
Potsdami ka një rëndësi historike, pasi aty u ratifikuan parimet e Deklaratës së Kajros, që saktësonte se Japonia duhet t'i kthente Kinës të gjitha territoret e pushtuara.
"Japonia pranoi kushtet e deklaratës duke pranuar kapitullim. Kjo ishte një fitore jo vetëm për popullin kinez, por edhe për popujt e botës," shtoi Li.
"Si një kinez, në emër të popullit tim, dua të theksoj se 'Deklarata e Postdamit' ishte një fitore me kosto prej miliona personave të vdekur dhe pjesë e rëndësishme përbërëse e vendosjes së paqes pas luftës. Të gjithë paqedashësit duhet të ruajnë rendin botëror dhe të mos lejojnë dëmtimin a mohimin e fitores pas luftës," theksoi gjithashtu Li Keqiang.
Lideri kinez u shpreh që historia është fakt objektiv dhe një pasqyrë, duke nënvizuar se e ardhmja krijohet vetëm në bazë të historisë.
"Kina është e gatshme që së bashku me popujt e tjerë të ruajë rendin botëror dhe paqen e vendosur pas Luftës së Dytë Botërore," përfundoi kryeministri kinez Li Keqiang. (Jiang Lei/Leftion Peristeri)