Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua të premten në Pekin me Choe Ryong Hae, të dërguarin e posaçëm të liderit verikorean Kim Jong Un. Choe i dorëzoi liderit kinez letrën e Kim Jong Un-it.
Z. Xi Jinping u shpreh në takimin me të dërguarin e Phenianit se realizimi i një Gadishulli Korean pa armë bërthamore dhe ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në këtë gadishull janë dëshira e popujve të tij dhe prirja e përgjithshme. "Kina dëshiron që palët e ndryshme të tregojnë gjakftohtësi për të nxitur zbutjen e tensioneve, si edhe të rifillojnë bisedimet gjashtëpalëshe", tha kryetari i shtetit kinez.
Ndërsa i dërguari i liderit suprem të Koresë së Veriut Kim Jong Un theksoi se vendi i tij e çmon miqësinë tradicionale me palën kineze dhe dëshiron të konsolidojë e të zhvillojë pandërprerë marrëdhëniet miqësore nëpërmjet kontakteve të nivelit të lartë. "Ne shpresojmë sinqerisht të zhvillojmë ekonominë, të përmirësojmë jetesën e popullit dhe të krijojmë një mjedis të jashtëm paqësor," tha Choe. Ai shtoi se Pheniani dëshiron të bëjë përpjekje të përbashkëta, si bisedimet gjashtëpalëshe etj., për të zgjidhur problemet nëpërmjet konsultimeve, në të mirë të paqes dhe të qëndrueshmërisë së Gadishullit Korean. (Çan Jean/Artani)