Anëtari i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të KQ të PKK-së dhe sekretar i Sekretariatit Qendror të kësaj partie Liu Yunshan u takua të enjten në Pekin me Choe Ryong Hae, i dërguari i posaçëm i sekretarit të parë të Partisë së Punës së Koresë së Veriut Kim Jong Un. Z. Liu shprehu gjatë takimit shpresën se palët do të ngulin këmbë në arritjen e objektivit për një Gadishull Korean pa armë bërthamore, do të ruajnë paqen dhe qëndrueshmërinë në këtë gadishull dhe do të nisin sa më parë bisedimet 6-palëshe.
Choe Ryong Hae tha se vizita e tij si i dërguari i sekretarit të parë Kim Jong Un tregon konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të Koresë së Veriut me Kinën. Pala verikoreane dëshiron të përpiqet së bashku me palën kineze për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Choe Ryong Hae tha gjithashtu se Koreja e Veriut dëshiron të zhvillojë ekonominë e vet dhe të ndërtojë një mjedis të jashtëm paqësor. Pheniani është i gatshëm të pranojë sugjerimet e palës kineze për të rinisur dialogun me palët e ndryshme. (Vera/Artani)