Filipinet kanë protestuar kohët e fundit ndaj lundrimit të një anijeje ushtarake, dy anijeve të mbikëqyrjes detare dhe disa anijeve kineze të peshkimit në ujërat pranë ishujve Nansha. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hong Lei u shpreh të mërkurën se lundrimi i rregullt i anijeve të administrimit publik detar të Kinës në zonën përkatëse është i drejtë dhe normal. Ndërkohë, ekspertë ushtarakë kinezë shprehen se Kina duhet të ruajë sovranitetin territorial nëpërmjet lundrimit normal të anijeve të saj në këtë zonë të diskutueshme detare.
Shkëmbinjtë Renai në pjesën lindore të ishujve Nansha, janë në varësi të qytetit Sansha të provincës kineze Hainan, me një largësi 150 milje detare nga ishulli Balawan i Filipineve. Që prej fillimit të këtij muaji, pala filipinase ka ndërmarrë disa veprime lidhur me problemin e detit të Kinës Jugore, sidomos për shkëmbinjtë Renai. Mediet bënë të ditur se më 10 maj pala filipinase i ka shprehur protestën e vet ambasadës kineze në Manilë lidhur me lundrimin e anijeve kineze afër këtyre shkëmbinjve.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës ka reaguar disa herë lidhur me këto veprime të palës filipinase, duke theksuar qëndrimin e vendosur të Pekinit lidhur me problemin e shkëmbinjve Renai. Zëdhënësi i kësaj ministrie Hong Lei thekson se shkëmbinjtë Renai janë pjesë e ishujve Nansha. Kina ka sovranitet të padiskutueshëm mbi ishujt Nansha dhe zonën detare përreth, prandaj lundrimi i anijeve kineze në këtë zonë është normal. Pala kineze i nxit Filipinet të zbatojnë në mënyrë të gjithanshme "Deklaratën e qëndrimit të palëve për detin e Kinës Jugore" dhe të mos ndërmarrin veprime që mund ta ndërlikojnë gjendjen në detin e Kinës Jugore. (Vera/Artani)