Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut u shpreh se Pheniani lëshoi të hënën edhe dy raketa të tjera, një paradite dhe një pasdite. Nga e shtuna e javës së kaluar e deri tani Koreja e Veriut ka kryer gjashtë lëshime, që të gjitha në bregdetin lindor dhe atë verilindor.
Komiteti për Bashkimin Paqësor të Atdheut i Koresë së Veriut u shpreh po të hënën në një deklaratë se lëshimet janë pjesë e stërvitjeve ushtarake normale. Sipas këtij Komiteti, stërvitje të tilla janë një e drejtë e ligjshme e një shteti sovran dhe synojnë përballimin e agresionit nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.
Zyra e Sigurisë Kombëtare e Koresë së Jugut ia ka raportuar zhvillimet e fundit presidentes Park Geun Hye. Drejtori i kësaj Zyre Kim Jang-soo u shpreh se pala verikoreane po shkakton tensionimin e gjendjes nëpërmjet tregimit të forcës. (Fang Xiaoyu/Artani))