Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të mbajnë një konferencë ndërkombëtare këtë muaj, me qëllim dhënien fund luftës civile në Siri.
Njoftimi erdhi pas takimit të ministrave të Jashtëm Sergei Lavrov dhe John Kerry në Moskë.
Raportohet se konferenca ndërkombëtare do të përpiqet të sigurojë një zgjidhje të negociuar, e cila ndër të tjera mund të përfshijë krijimin e një qeverie tranzicioni.
Kerry takoi gjithashtu edhe presidentin Vladimir Putin, ku tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njëjtat interesa mbi Sirinë.
"Shtetet e Bashkuara besojnë se ne ndajmë të njëjtat interesa të rëndësishme me respekt ndaj Sirisë – stabilitetin në rajon, shmangien e elementëve ekstremistë në rajon dhe gjetkë.. Gjithashtu besoj se ne kemi të njëjtën qasje ndaj Komunikatës së Gjenevës," nënvizoi Kerry.
Nga ana e tij presidenti Putin, tha se ai është i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Presidenti rus pritet të takojë homologun amerikan Barack Obama, gjatë Samitit të ardhshëm të G8-s, muajin e ardhshëm. (Leftion Peristeri)