Lidhur me propozimin e kryetarit Xi, ish-ambasadori i Kinës në Iran Hua Liming u shpreh se vjet lufta në Gazë dhe aplikimi i Palestinës për t'u anëtarësuar në OKB kanë qenë sinjale për bashkësinë ndërkombëtare se konflikti palestinezo-izraelit përbën ende një kërcënim ndaj paqes rajonale dhe botërore. Ambasadori Hua vuri në dukje se theksi që z. Xi Jinping vuri në propozimin e vet për krijimin e shtetit të Palestinës është në përputhje me interesat e të dyja palëve, por vënia në jetë e këtij propozimi kërkon kompromis.
Nga ana e tij, nëndrejtori i Institutit të Marrëdhënieve Bashkëkohore Ndërkombëtare të Kinës Li Shaoxian vuri në dukje se roli i Kinës në problemin e Palestinës nuk është siç thuhet në disa media të huaja "për të balancuar ndikimin e ShBA-së në këtë rajon, duke gjetur pikëmbështetje në Lindjen e Mesme", por qeveria kineze i ka kushtuar vëmendje të vazhdueshme ecurisë së procesit të paqes në Lindjen e Mesme. "Kina ka emëruar për herë të parë në histori një të dërguar të posaçëm për Lindjen e Mesme dhe ka nxitur gjithmonë zhvillimin e bisedimeve të paqes, gjë që është njohur nga bashkësia ndërkombëtare", tha z. Li.
(Çan Jean/Artani)