Raportimet për sulmet ajrore izraelite mbi Siri u diskutuan të dielën gjatë një bisede telefonike nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon dhe ai i Lidhjes Arabe, Nabil ElAraby, të cilët ndanë "shqetësimin" mbi sulmet dhe pasojat e tyre.
Më herët të dielën, Ban shprehu publikisht 'shqetësimet" e tij mbi sulmet ajrore izraelite dhe u kërkoi të gjitha palëve "të ushtrojnë vetëpërmbajtje."
"Në këto çaste, Kombet e Bashkuara nuk kanë ndonjë detaj nga incidentet e raportuara," tha zëdhënësi Martin Nesirky. "As Kombet e Bashkuara nuk janë në gjendje për të verifikuar në mënyrë të pavarur korrektësinë e raportimeve."
"Sekretari i përgjithshëm ka kërkuar respektim të sovranitetit kombëtar nga të gjitha vendet e rajonit dhe zbatimin e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit," shtoi ai. (Leftion Peristeri)