Sekretari i mbrojtjes, Chuck Hagel tha se qeveria amerikane po rishqyrton qëndrimin e saj për armatosjen e rebelëve sirianë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Pentagon me homologun britanik, Philip Hammond, ai tha se administrata e Obamës po shqyrtonte disa opsione.
"Nuk do të thotë se presidenti ka vendosur për ndonjë gjë. Unë jam pro shqyrtimit të opsioneve dhe të shohim se cili është më i miri, në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë", tha Hagel.
Më parë u raportua se presidenti Obama do të marrë vendimin brenda disa javëve për furnizimin e rebelëve sirianë me armë.
Uashingtoni tha javën e kaluar se beson se presidenti sirian Bashar al-Assad ka përdorur armë kimike, por shtoi se informacionet e shërbimeve sekrete nuk ishin të qarta për të vërtetuar plotësisht një fakt të tillë. (Ardi Pulaj)