Koreja e Jugut planifikon të ofrojë fonde emergjence për kompanitë që ndërprenë veprimtarinë e tyre në Kompleksin Industrial të Kaesong-ut, si pjesë e përpjekjeve për t'i ndihmuar ato të zgjidhin problemet me likuiditetet, bëri të ditur të enjten Ministria e Bashkimit e Koresë së Jugut.
Qeveria vendosi që të ofrojë 300 miliardë uonë (273 milionë dollarë amerikanë) fonde emergjence për 123 kompanitë koreanojugore në parkun industrial të Kaesongut.
Përveç kësaj, qeveria e Seulit ka në plan të japë një kredi ndihme me vlerë 300 miliardë uonë nga programi i sigurimeve i bashkëpunimit ekonomik ndërkorean, ndërsa po nxit përfshirjen e 100 miliardë uonëve të tjerë në buxhetin shtesë për të mbështetur bizneset në Kaesong.
Pas hedhjes poshtë nga Pheniani të ofertës së Seulit të premten e kaluar për dialog për të zgjidhur problemin e Kaesongut, qeveria e Koresë së Jugut vendosi të tërheqë të gjithë punonjësit e vet nga parku i përbashkët industrial, simboli i fundit i bashkëpunimit ndërkorean. (Artani)