Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi të martën se Aleanca duhet të qëndrojë vigjilente mbi përhapjen e mundshme në rajon të konfliktit sirian.
"Situata në Siri po përkeqësohet dhe nuk mund të injorojmë rreziqet për përhapjen në rajon. Një gjë e tillë do të ketë pasoja për sigurinë e aleatëve", tha Rasmussen para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.
Përveç Sirisë, kryediplomatët do të diskutojnë mes të tjerash edhe për situatën në Gadishullin Korean, luftën në Afganistan dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Rasmussen tha se veprimet provokuese e deklaratat kërcënuese të Koresë së Veriut mbeten një sfidë serioze për stabilitetin e sigurinë e rajonit dhe të botës.
Përsa i përket Afganistanit, ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë për mbështetjen e forcave afgane pas 2014-ës, kur trupat ndërkombëtare do të largohen nga vendi. (Ardi Pulaj)