Drejtoria Shtetërore Sizmologjike e Kinës bëri të ditur se deri në orën 21 e 40 minuta, tërmeti 7-ballësh që tronditi provincën Sichuan ka shkaktuar gjithsej 160 viktima.
Në orën 4 e 53 minuta të 21 prillit u regjistrua një tërmet i ri në Lushan të provincës Sichuan i magnitudës 5 dhe thellësia e epiqendrës arrin në 16 kilometra.
Në pasditen e së shtunës kryeministri i Kinës Li Keqiang udhëtoi me helikopter drejt zonës së prekur nga tërmeti. Ai vizitoi spitalin dhe banorët që po jetojnë në tenda. Në emër të Partisë dhe Këshillit të Shtetit ai shprehu ngushëllime të sinqerta ndaj masave popullore. Në mbrëmje ai drejtoi një mbledhje mbi zbatimin e mëtejshëm të punës së shpëtimit.
Të dielën, ekipi kombëtar i kërkim-shpëtimit u nis për në zonën e prekur nga tërmeti për të zhvilluar punën emergjente të shpëtimit.
Deri në orën 21:00 të 20 prillit, Ministria e Çështjeve Civile ka dërguar me urgjencë 50 mijë tenda, 100 mijë jorganë dhe 10 mijë shtretër portativë. Gjithashtu, ndihma të ndryshme nga 14 provinca të mbarë Kinës janë transportuar në zonën e prekur.
Ndërkohë, Ministria e Tregtisë ka nisur planin emergjent për garantimin e furnizimeve në treg dhe rindërtimin e rihapjen e njësive tregtare në këtë zonë. (Vera/Albana)



















