Qeveria kineze bëri edhe njëherë thirrje për ruajtjen e gjakftohtësisë në Gadishullin Korean, teksa Peniani përkujtoi ditëlindjen e ish-udhëheqësit Kim Il-sung.
"Pavarësisht se çfarë do të ndodhë, ne duhet të këmbëngulim për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean, të ruajmë paqen e të synojmë të zgjidhim problemin nëpërmjet dialogut. Kina ka mbajtur kontakte me palët, duke bërë thirrje që të mos ndërmerren veprime provokuese që do të përshkallëzojnë gjendjen në Gadishullin Korean", tha të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Pekin, Hua Chunying.
Ndërkohë Koreja e Jugut shprehu keqardhjen për refuzimin nga Peniani të bisedimeve për çështjen e kompleksit industrial Kaesong. (Ardi Pulaj)