Shefi i diplomacisë amerikane, Xhon Kerri do të bisedojë më vonë gjatë javës me homologun koreanojugor çështje që lidhen me Korenë e Veriut, njoftoi të martën ministria e jashtme në Seul.
"Kerri pritet të mbërrijë të premten paradite për të takuar homologun Yun Byung-se dhe më pas do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp", deklaroi zëdhënësi i ministrisë, Cho Tai-young.
Gjatë vizitës dy-ditore, sekretari amerikan i shtetit do të takohet edhe me presidenten Park Geun-hye e ministrin e mbrojtjes, Kim Kwan-jin.
Një javë më parë Kerri bisedoi me homologun Yun në Uashington, duke i konfirmuar mbështetjen amerikane për Korenë e Jugut. (Ardi Pulaj)