Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u shpreh pasditen e së hënës në një konferencë për shtyp se SHBA-ja mirëpret përpjekjet e Kinës dhe Rusisë për zbutjen e tensioneve në Gadishullin Korean.
"Ne do të angazhohemi së bashku me Kinën, Rusinë dhe aleatët e tjerë për të nxitur Korenë e Veriut të zbatojë rregullat dhe obligimet ndërkombëtare. Qëndrimi ynë mbetet inkurajimi i Kinës dhe Rusisë për të ushtruar ndikim ndaj Penianit, për të ndaluar veprimet dhe kërcënimet, pasi kjo përputhet me interesat e të gjitha vendeve në këtë rajon," tha Carney.
Megjithëse SHBA-ja beson se Koreja e Veriut nuk e ka aftësinë të godasë territorin amerikan, ajo ka pohuar që raketat balistike të Koresë së Veriut mund të pajisen me armë shumë të fuqishme dhe mund të mbulojnë bazat ushtarake amerikane në Korenë e Jugut dhe Japoni. Për këtë arsye, SHBA-ja ka bërë përgatitje për ndalimin e raketave.
Po më 8 prill sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon nxiti Penianin në Hagë që të mos vijojë me provokimet, duke deklaruar që nëse bëhet prova e 4-t bërthamore, atëherë kjo do të jetë në kundërshtim me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. (Jiang Lei/Albana)