Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua të shtunën në qytetin Sanya të provincës Hainan të Kinës Jugore me presidentin e Perusë Ollanta Humala. Të dy liderët shkëmbyen mendime lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe probleme të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët. Ata arritën unanimitet mendimesh lidhur me forcimin e bashkëpunimit dypalësh, si edhe u shprehën për ngritjen e marrëdhënieve kino-peruane në marrëdhënie të partneritetit të gjithanshëm strategjik.
Z. Xi Jinping theksoi se Kina dhe Peruja janë vende mike dhe partnere të mira, ato kanë besim te njëra-tjetra dhe zhvillojnë bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë. Kryetari i shtetit kinez tha se të dyja palët duhet të vazhdojnë të forcojnë shkëmbimet e nivelit të lartë midis partive, organeve ligjvënëse dhe të pushteteve lokale përkatëse, të zgjerojnë përmasat e tregtisë dhe të forcojnë bashkëpunimin konkret mes tyre. Z. Xi kërkoi që Kina dhe Peruja të ruajnë shkëmbimet dhe bashkërendimin në probleme të rëndësishme ndërkombëtare dhe të forcojnë bashkëpunimin brenda kornizës së APEK-ut, duke mbrojtur së bashku interesat e vendeve në zhvillim.
Presidenti peruan Ollanta Humala u shpreh se vendi i tij dëshiron të ruajë shkëmbimet e nivelit të lartë, të forcojë dialogun e shkëmbimet dhe të zgjerojë bashkëpunimin me palën kineze, duke synuar së bashku një pikë të re rritjeje në fushën e tregtisë dhe të investimeve. Peruja i kushton rëndësi të madhe rolit pozitiv të Kinës në çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe, si vend krijues i Aleancës së Paqësorit, është e gatshme ta nxitë këtë organizatë të krijojë lidhje me Kinën.
Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua po të shtunën edhe me presidentin e Kazakistanit Nursultan Nazarbajev dhe presidentin e Meksikës Enrike Penja Nieto.(Vera/Artani)