Nga 6 deri më 8 prill të këtij viti do të organizohet në Hainan të Kinës Jugore Forumi Aziatik i Boaos. Sivjet tema kryesore e këtij forumi do të jetë "Reforma, përgjegjësia dhe bashkëpunimi - Azia kërkon zhvillimin e përbashkët".
Sekretari i përgjithshëm i Forumit Aziatik të Boaos Zhou Wenzhong u shpreh se "përgjegjësia" është një nga temat kyçe për zhvillimin e përbashkët të Azisë.
Z. Zhou tha se ekonomitë kryesore duhet të marrin përsipër përgjegjësi të përbashkët, por të ndryshme, duke përshirë mbajtjen parasysh të ndikimit të politikave të tyre të brendshme mbi vendet e tjera, veçanërisht ato fqinje, si edhe shmangien e përhapjes së efekteve negative që mund të kenë këto politika. Ai shprehu mendimin se, për të ruajtur zhvillimin e vazhdueshëm dhe qëndrueshmërinë e vet ekonomike, Kina duhet të nxitë procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë globale, gjë që përbën përgjegjësinë kryesore të saj.
Sekretari i përgjithshëm i Forumit Aziatik të Boaos Zhou Wenzhong vuri në dukje gjithashtu se bashkëpunimi, besimi i ndërsjellë dhe zhvillimi i përbashkët i Azisë jo vetëm përputhen me interesat e këtij kontinenti, por përbëjnë edhe një ndihmesë për rritjen e ekonomisë botërore dhe stabilizimin e rendit politik ndërkombëtar. (Fang Xiaoyu/Artani)