Të mërkurën përfundoi në Durban të Afrikës së Jugut samiti i pestë i liderëve të vendeve të BRICS-it. Pesë vendet e BRICS-it nënshkruan në këtë samit "Marrëveshjen e financimit të përbashkët dhe të zhvillimit të vazhdueshëm shumëpalësh të vendeve të BRICS-it", "Marrëveshjen e financimit të përbashkët të infrastrukturës së Afrikës" , "Deklaratën e krijimit të Këshillit të Biznesit të vendeve të BRICS-it", si dhe dokumente të tjera bashkëpunimi. Gjithashtu u mor vendimi për krijimin e Bankës së Zhvillimit të Vendeve të BRICS-it dhe për të bërë përgatitje për krijimin e rezervës valutore të vendeve të BRICS-it.
Kjo është hera e parë që samiti i liderëve të vendeve të BRICS-it mbahet në Afrikën e Jugut. Në këtë samit ishin të pranishëm kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping, presidenti i Afrikës së Jugut Jakob Zuma, presidentja e Brazilit Dilma Rousseff, presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe kryeministri i Indisë Manmohan Singh. Liderët e pesë vendeve shtjelluan mendimet dhe pikëpamjet e tyre lidhur me temën kryesore të samitit "Partneritet për zhvillimin, integrimin dhe industrializimin."Z. Xi Jinping mbajti në samit një fjalim të rëndësishëm me titull " Bashkëpunim dhe zhvillim i përbashkët".
Duke folur për zhvillimin e ardhshëm të Kinës, Xi Jinping vuri në dukje se Kina do të vazhdojë të konsiderojë zhvillimin si detyrën e vet të parë dhe do të nxitë zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, politik, kulturor dhe shoqëror. Ai theksoi se zhvillimi i Kinës është një zhvillim i hapur, një zhvillim bashkëpunimi.
Edhe liderët e tjerë pjesëmarrës në samit mbajtën fjalime. Ata u shprehën se ndikimi negativ i krizës financiare ndërkombëtare po thellohet dhe kriza evropiane e borxheve po përhapet vazhdimisht, ndaj ekonomia botërore ndodhet para paqartësive. Vendet e BRICS-it duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin në ofrimin e shanseve tregtare dhe të financimit të përbashkët, për të përballuar rreziqet e sfidat e ndryshme dhe për të nxitur zhvillimin në mënyrë të vazhdueshme e të balancuar të ekonomisë botërore.
Samiti i ardhëm i liderëve të vendeve të BRICS-it do të zhvillohet në Brazil në vitin 2014. (Vera/Artani)