Sekretari i përgjithshëm i Forumit Aziatik të Boaos Zhou Wenzhong u shpreh të martën në Pekin se këtë vit ky forum do të zhvillohet nga 6 deri më 8 prill. Forumi i sivjetshëm do të fokusohet te zhvillimi me leverdi reciproke i Azisë dhe i mbarë botës, zhvillim jo vetëm në përmasa, por edhe me cilësi. Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping do të mbajë një fjalim në ceremoninë e hapjes së Forumit. Përveç kësaj, ai do të zhvillojë edhe një bisedë me mbi 30 biznesmenë kinezë dhe të huaj, gjë që bëhet për herë të parë që prej krijimit të forumit.
Forumi Aziatik i Boaos është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare e jofitimprurëse, që është bërë një platformë e rëndësishme e dialogut midis qeverive dhe sektorëve të industrisë, të tregtisë dhe të shkencës e teknologjisë të vendeve të Azisë dhe të kontinenteve të tjera. Tema kryesore e kësaj here është "Reforma, përgjegjësia dhe bashkëpunimi - Azia kërkon zhvillim të përbashkët". Lidhur me këtë, sekretari i përgjithshëm i Forumit Zhou Wenzhong tha në një konferencë shtypi të organizuar të martën se, në kohën e vështirë të krizës financiare, kur është shfaqur edhe proteksionizmi, as vendet aziatike nuk janë përjashtuar, prandaj këto vende dhe vendet e botës në përgjithësi duhet t'i kushtojnë rëndësi problemit të zhvillimit të përbashkët.
Zhou bëri të ditur se kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Forumit dhe do të mbajë aty një fjalim. Të ftuar në forum do të jenë mjaft kryetarë shtetesh dhe qeverish. Deri tani, ndër pjesëmarrësit e regjistruar, ata nga kompanitë zë 82 %, duke përfshirë 32 kryetarë bordesh ose CEO të kompanive që renditen ndër 500 më të fuqishmet e botës. (Vera/Artani)