PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Xi: "Bashkëpunim me dinjitet dhe zhvillim"
2013-03-23 18:30:20 CRI Komenti juaj Printoni
Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis vendeve të ndryshme gjatë vizitës së tij në Moskë.

Në fjalimin e mbajtur të shtunën në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, z. Xi tha: "Po të ecim me ritmin e kohës, nuk do të ngelemi ende në ideologjinë e Luftës së Ftohtë dhe as në konceptin se ka vetëm fitues dhe të humbur. Ndryshimi i thellë i gjendjes ndërkombëtare dhe nevoja e popujve të botës për të përballuar së bashku vështirësitë aktuale i detyrojnë vendet e ndryshme të nxisin krijimin e një forme të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, që synon bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë.".

Para më shumë se një mijë studentëve të Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, që vlerësohet si "djepi i diplomatëve rusë", Xi Jinpingu vuri në dukje se shumë tregje të reja janë në zhvillim të shpejtë, duke formuar kështu edhe shumë qendra zhvillimi në mbarë botën. Një fakt i tillë bën që asnjë vend ose grup vendesh të mos ketë rol mbizotërues në të gjitha çështjet botërore. Vendet e popujt e ndryshëm duhet të gëzojnë së bashku dinjitet, frytet e zhvillimit dhe siguri. "Mund ta dish nëse një palë këpucë të bëjnë apo jo, vetëm pasi t'i provosh në këmbë," u shpreh në mënyrë metaforike kreu i shtetit kinez. "Çështjet e sovranitetit të një vendi mund të zgjidhen vetëm nga qeveria e populli i atij vendi, kurse çështjet e botës mund të zgjidhen vetëm përmes bisedimeve mes qeverive dhe popujve të ndryshëm. Ky është parimi demokratik i trajtimit të çështjeve ndërkombëtare që duhet të zbatojë bashkësia ndërkombëtare."

Kjo është vizita e parë jashtë vendit e z. Xi Jinping pas zgjedhjes si kryetar shteti këtë muaj. Gjatë fjalës së tij ai shpjegoi në veçanti edhe konceptin e "ëndrrës kineze" të shpallur nga ekipi i ri udhëheqës i Partisë Komuniste të Kinës nën drejtimin e tij. Sipas kryetarit Xi, përmbajtja bazë e "ëndrrës kineze" është realizimi i lulëzimit të vendit, përtëritjes së kombit dhe lumturisë së popullit. Sipas tij, Kina do të vazhdojë të ngulë këmbë në zhvillimin paqësor, duke i kushtuar forca nxitjes së hapjes dhe të bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë. "Kina i përmbahet gjithmonë një politike ushtarake për qëllime mbrojtëse dhe nuk synon garën e armatimeve dhe as nuk përbën kërcënim ushtarak për vendet e tjera. Zhvillimi dhe fuqizimi i Kinës i sjellin botës më shumë shanse, dhe jo të ashtuquajturin 'kërcënim'", theksoi Xi Jinping në fjalimin e vet në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës.

(Çan Jean/Artani)

 

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China