PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Xi-Putin: Të forcohet bashkëpunimi i gjithanshëm strategjik kino-rus
2013-03-23 09:10:35 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi të premten në Kremlin bisedime me presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Të dy liderët shkëmbyen mendime lidhur me probleme të rëndësishme ndërkombëtare e rajonale, si edhe arritën konsensus për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik kino-rus.

Presidenti Putin u shpreh se zgjedhja nga kryetari Xi Jinping e Rusisë si vendi i parë për të vizituar pas marrjes së postit, tregon interesin që i kushtojnë të dyja vendet zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, si dhe faktin që këto marrëdhënie janë të veçanta dhe strategjike. Kreu i Kremlinit e quajti vizitën e homologut të vet kinez historike, duke shprehur besimin se ajo do të jetë frytdhënëse dhe do të nxitë zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Kryetari Xi Jinping theksoi nga ana e vet se Kina dhe Rusia janë partneret më të rëndësishme për njëra-tjetrën dhe se thellimi i marrëdhënieve dypalëshe zë një vend strategjik e me përparësi në diplomacinë dhe marrëdhëniet e jashtme të të dy vendeve. Përballë gjendjes së ndërlikuar ndërkombëtare dhe mjedisit të vështirë të ekonomisë botërore, u shpreh z. Xi, Kina dhe Rusia duhet të forcojnë e të thellojnë bashkëpunimin e gjithanshëm strategjik, të forcojnë mbështetjen politike dhe të përkrahin njëra-tjetrën në ruajtjen e sovranitetit kombëtar, në përpjekjet për sigurimin dhe zhvillimin e interesave të njëra-tjetrës dhe në ndjekjen e rrugës së zhvillimit që përputhet me gjendjen e secilit vend. Kreu i shtetit kinez kërkoi gjithashtu që të dy vendet të zgjerojnë bashkëpunimin e gjithanshëm mes tyre dhe ta shndërrojnë epërsinë e marrëdhënieve politike të nivelit të lartë në rezultate konkrete, të arrijnë zhvillimin e përbashkët, të thellojnë bashkërendimin në çështjet ndërkombëtare e rajonale, të ruajnë me vendosmëri rendin e përbashkët të sigurisë strategjike dhe të nxitin lulëzimin, paqen e qëndrueshmërinë në botë.

Presidenti Putin u shpreh plotësisht në një mendje me vlerësimin e kryetarit Xi Jinping për marrëdhëniet dypalëshe. Ai theksoi se Moska e Pekini kanë të njëjtat mendime lidhur me shumë probleme të rëndësishme. Të dyja palët i kushtojnë rëndësi zhvillimit dhe rigjallërimit të vendeve të tyre, interesat e përbashkëta janë të shumta dhe perspektiva e bashkëpunimit është e gjerë. Faktet tregojnë, deklaroi z. Putin, se marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik ruso-kinez përputhen me interesat e të dy vendeve, si edhe janë bërë një element i rëndësishëm i marrëdhënieve të tanishme ndërkombëtare. Ai shprehu gatishmërinë e Rusisë për të forcuar bashkëpunimin strategjik dypalësh .

Të dy liderët zhvilluan diskutime të thella lidhur me bashkëpunimin konkret. Ata shprehën mendimin se janë krijuar mundësitë dhe janë pjekur kushtet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis Kinës dhe Rusisë. Pas bisedimeve, Xi dhe Putini nënshkruan "Deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë dhe thellimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të partneritetit strategjik ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Federatës Ruse".(Vera/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China