Shefi i OKB-së, Ban Ki-moon mirëpriti të hënën ofertën e qeverisë shqiptare për të pranimin në baza humanitare të 210 rezidentëve iranianë të kampit "Liria" në Irak.
"Sekretari i përgjithshëm shpreson që ata t'i përgjigjen pozitivisht ofertës së Shqipërisë dhe të bashkëpunojnë me UNHCR-në për të bërë zhvendosjen gjatë ditëve në vijim", thuhet në një deklaratë.
Ndërkohë mediat në Shqipëri shkruajë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë falënderuar kryeministrin Sali Berisha për strehimin e 210 muxhahedinëve që ndodhen në Irak.
Deklarata erdhi nga zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, e cila e ka vlerësuar Shqipërinë si një partner të fortë të Uashingtonit për paqen në Irak.
Departamenti Amerikan i Shtetit i bën thirrje grupit Iranian të pranojë ofertën e Berishës. Qeveria shqiptare i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA për strehimin e anëtarëve të grupit (Mojahedin-e-Khalq) MEK, të cilët ndodhen në Kampin e "Liria" në Irak, por vetëm një ditë më parë oferta e Shqipërisë është refuzuar pasi në kamp qëndrojnë rreth 3000 persona, dhe ata nuk pranojnë që të ndahen, kërkojnë të shpërngulen të gjithë së bashku, raporton "balkanweb". (Ardi Pulaj)